Wiki WikiFjalori: Citimi – shfletoni më shumë në fjalorin e lirë

Citimi - Në fjalorin elektronik të gjuhës shqipe për fjalën (zërin) "citim" thuhet "Veprimi sipas kuptimeve të foljeve citoj, citohem." Më tutje për fjalën (zërin) "citoj" thuhet "Jap fjalë për fjalë një pjesë të shkurtër nga një vepër ose nga shkrimi i një autori, përdor një citat; përmend një vepër a një autor lidhur me një mendim a ngjarje. Citoj një vepër. Citoj një mendim. Citoj një frazë. Citoj Naimin," ndërsa për fjalën (zërin) "citat" thuhet "Pjesë e shkurtër e nxjerrë fjalë për fjalë nga një vepër ose nga një tekst i shkruar; riprodhimi fjalë për fjalë i një shprehjeje ose i një mendimi të një tjetri. Citate të zgjedhura. Përdor citate. Gjej (nxjerr) një citat. Mbush me citate."[1]

Citimet mund të shërbejnë qoftë si ilustrim i ekspozeut, gjë që është rasti më i shpeshtë, qoftë si dëshmi, që është rasti më i rrallë. Këtë rolin e tyre të dytë, sipas rregullit, duhet shmangur, pasi që dëshmitë duhet të përbëhen në radhë të parë nga argumentet vetjake, e jo nga mendimet e huaja. E pikërishtë në këtë edhe gabojnë më së shumti fillestarët, që në vend të ideve personale, fakteve, përfundimeve, cekin, si dëshmi, mendimet dhe fjalët e ndonjë autoriteti.[2]

Hulumtuesi i njohur shkencor, italiani Umberto Eco përmend dhjetë rregulla të cilave duhet t`u përmbahemi kur merremi ose tentojmë të merremi me hulumtime shkencore. Ato janë:

  1. Pasazhet që janë objekt i analizës interpretuese duhet cituar me masë.
  2. Tekstet e literaturës kritike duhen cituar vetëm atëherë kur, me autoritetin e tyre, ato vërtetojnë apo mbështesin një pohim tonin.
  3. Citimi parakupton që ju jeni të një mendjeje me autorin që citoni, me përjashtim të rasteve kur pjesa e cituar paraprihet apo ndiqet nga shprehje kritike.
  4. Për çdo citim duhet dhënë qartë autori dhe burimi (i shtypur ose dorëshkrim) nga është marrë.
  5. Citimet e burimeve parsëore duhen nxjerrë mundësisht nga ndonjë botim kritik i një vepre ose nga botimi më i besueshëm i saj.
  6. Kur është fjala për vepra letrare është një rregull i prerë që citimet të jenë në gjuhën origjinale dhe krahas tyre të jepet edhe përkthimi.
  7. Referimi tek autori si dhe tek vepra e tij duhet të jetë i qartë.
  8. Kur një citim nuk i kalon të dy ose tri radhët, ai mund të jepet mes thonjëzash dyshe brenda vetë tekstit. Nga ana tjetër, kur citimi është më i gjatë, mirë është të nxirret në një paragraf më vete, mirëpo me një spacio më të vogël.
  9. Citimet duhet të riprodhohen besnikërisht.
  10. Citimi ka diçka të ngjashme me sjelljen e dëshmive dhe dëshmitarëve në gjyq, prandaj duhet të jeni në gjendje t`i gjeni ata si dhe të provoni që ata thonë të vërtetën.[3]

Referime


  1. ^ Fjalori i gjuhës së sotme shqipe 21. 05. 2016.
  2. ^ Mid`hat Shamiq:Si shkruhet vepra shkencore, Logos-A, Shkup, 2006, fq. 151. ISBN 9989-58-051-0
  3. ^ Umberto Eco: Si bëhet një punim diplome, Botime përpjekja, Tiranë, 1997, fq. 206 - 215.